Universiteti i Mjekësisë prezanton laboratorin farmaceutik modern: Një hap drejt avancimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional”

Në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, u zhvillua prezantimi i projektit “Infrastruktura kërkimore e laboratorëve farmaceutikë”, një iniciativë strategjike që synon ngritjen e një laboratori modern brenda Departamentit të Farmacisë.

Në takim morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Ogerta Manastirliu, Znj. Linda Pustina, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, si dhe Znj. Mirela Muça, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Prof. Asc Entela Haloci, drejtuese e projektit dhe pedagoge në Departamentin e Farmacisë, prezantoi në mënyrë të përmbledhur objektivat dhe fazat kryesore të projektit, duke theksuar rolin e laboratorit të ri në mbështetje të kërkimit shkencor dhe edukimit praktik. Të gjitha përfaqësueset institucionale shprehën mbështetjen e tyre për këtë projekt që synon avancimin e infrastrukturës kërkimore në vend.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, vlerësoi rëndësinë strategjike të këtij projekti për të ardhmen e kërkimit shkencor dhe edukimit universitar në fushën farmaceutike. Ai theksoi se ngritja e këtij laboratori modern është një hap konkret drejt përmbushjes së misionit të universitetit për të kontribuar me dije, inovacion dhe shërbime cilësore në shërbim të shëndetit publik dhe zhvillimit shkencor të vendit.

Laboratori i ri do të synojë akreditimin sipas standardit ndërkombëtar ISO 17025, duke integruar teknologji të avancuar për qëllime kërkimi shkencor, edukimi praktik të studentëve dhe bashkëpunimi me industrinë farmaceutike.

Ky bashkëpunim ndërinstitucional përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt pozicionimit të Shqipërisë në hartën evropiane të kërkimit dhe shërbimeve farmaceutike.

Prezantimi u moderua nga gazetarja Freskida Miloti, e cila me profesionalizëm solli në vëmendje rolin e këtij projekti në forcimin e lidhjes mes kërkimit shkencor, edukimit cilësor dhe zhvillimit të sektorit farmaceutik në vend.

sqShqip

Kërko informacion, event, njoftim etj