Betohem të përmbush, me gjithë aftësitë dhe gjykimin tim, këtë betim:
Do të respektoj arritjet shkencore të fituara me mund të atyre mjekëve, në hapat e së cilëve do të eci dhe do t’ua shpërndaj lumturisht këtë dituri, njëlloj sikur të ishte imja, atyre që do të pasojnë.
Do të përdor, për të mirën e të sëmurëve, të gjitha mjetet që janë të nevojshme, duke shmangur çdo grackë të mjekimit të tepruar dhe nihilizmit terapeutik.
Do të kujtoj që ekziston arti i mjekësisë, njëlloj si shkenca e saj dhe se ngrohtësia, simpatia dhe të kuptuarit mund të vlejnë më shumë se bisturia e kirurgut apo bari i farmacistit.
Nuk do të më vijë turp të them ”Nuk e di”, as nuk do të hezitoj të thërras kolegët e mi, kur aftesitë e dikujt tjetër nevojiten për shërimin e pacientit.
Do të respektoj privatësinë e pacientëve, me qëllim që bota mos të marrë vesh problemet që ata më kanë besuar. Veçanërisht do të veproj me kujdes kur është fjala për jetën ose vdekjen. Nëse më jepet mundësia për të shpëtuar një jetë; faleminderit. Por mund të jetë brenda mundësive të mia për t’i marrë jetën dikujt; kjo përgjegjësi e frikshme duhet të përballohet me përulje dhe ndërgjegjësim për dobësinë time. Mbi të gjitha, nuk duhet të luaj rolin e Zotit.
Do të kujtoj se nuk do të kuroj një grafik temperature apo rritje kanceroze, por një qenie njerëzore të sëmurë, sëmundja e të cilit mund të ndikojë stabilitetin ekonomik dhe familjen e tij. Përgjegjësia ime përfshin edhe këto probleme të lidhura, nëse dëshiroj të kujdesem ashtu si duhet për të sëmurët.
Do të parandaloj sëmundjet, sa herë të kem mundësi, sepse parandalimi është i preferueshëm ndaj kurimit.
Do të kujtoj se mbetem një pjesëtar i shoqërisë, me detyrime të veçanta ndaj të gjithë qenieve njerëzore sivëllezër të mi; atyre të shëndoshë nga trupi dhe mendja, sikundër edhe të sëmurëve.
Nëse nuk e shkel këtë betim, le të gëzoj jetën dhe artin mjekësor, i respektuar sa të jem gjallë dhe i kujtuar me dhembshuri më pas. Shpresoj të veproj gjithnjë kështu, me qëllim që të ruaj traditat më të mira të profesionit tim dhe të përjetoj gjatë gëzimin e shërimit të atyre që do të kërkojnë ndihmën time.
Shkruar në vitin 1964 nga Louis Lasagna, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë të Tufts University, Boston, SHBA
Shqipëruar nga Prof. Xheladin Draçini