Të dashur studentë dhe pedagogë të nderuar!
Të ftuar të shquar që na nderoni me praninë Tuaj!
Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’Ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen në vitin e ri akademik 2024-2025 në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë!
Duke uruar përzemërsisht secilin nga 1624 studentët që fillojnë sot rrugëtimin formues në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë; dëshiroj të ndaj me Ju vizionin e së ardhmes të institucionit tonë.
Ne synojmë të ndërtojmë një mjedis dhe komunitet vlerash duke zhvilluar universitetin tonë si në një vend ku edukimi nuk është vetëm transmetim dijesh, por edhe një dialog i vazhdueshëm, gjithëpërfshirës dhe kulturor ndërmjet profesioneve të ndryshme të shkencave të shëndetit.
Ju siguroj të dashur studentë se do të japim maksimumin tonë për t’Ju ofruar edukimin më cilësor drejt formimit Tuaj profesional dhe njerëzor të nivelit më të lartë. Universiteti i Mjekësisë, Tiranë përfaqëson një mjedis akademik produktiv dhe novator të shkencave të shëndetit që nxit shkëmbimin e dijes dhe kreativitetin nëpërmjet kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit. Çdo vit Ju do të keni mundësi të shkëlqyera shkëmbimesh studentore në programet ERASMUS dhe jo vetëm, me dhjetra universitete partnere të huaja; si edhe pjesëmarrje aktive në projekte të shumta të kërkimit shkencor.
Universiteti mjekësor i së ardhmes synon të bëhet qendër reference për studimet mjekësore në rajon dhe më gjërë, duke i edukuar mjekët, stomatologët, farmacistët, infermierët, fizioterapistët, mamitë, teknikët; gjithë profesionistët e shëndetit; me përgjegjësi dhe përfaqësim të spikatur shoqëror në drejtim të kontributit specifik në mirëqenien shëndetësore kolektive.
Në universitetin tonë synojmë të formojmë një format të ri të profesionistit shëndetësor; të aftë të integrohet natyrshëm në sistemet e kujdesit shëndetësor dhe spitalet bashkëkohore; aty ku kujdesi për pacientët kombinohet me Edukimin dhe Kërkimin Shkencor.
Një objektiv parësor i universitetit mbetet integrimi dhe harmonizimi i profesioneve shëndetësore dhe programeve tona të studimit të çdo niveli nëpërmjet krijimit të kulturës ndër-profesionale humaniste me në qendër pacientin si person me individualitet të patjetërsueshëm.
Tashmë prej 9 vjetësh, Ceremonia e Bluzave të Bardha shënon fillimin e vitit akademik në universitetin tonë, por ky është viti i parë që jemi të gjithë bashkë, duke përcjellë mesazhin e rëndësishëm se bluza e bardhë nuk është vetëm e mjekut; ajo përfaqëson një simbol unifikues dhe purifikues për të gjitha profesionet e shëndetit. Sot në qendër të shkencave mjekësore është shëndeti dhe jo sëmundja; sigurisht perqasja e duhur për këtë paradigëm të re është multidimensionale, empatike dhe transversale përmes trajtimit multidisiplinar nga të gjithë operatorët e kujdesit shëndetësor.
Të nderuar kolegë pedagogë; sfida madhore që na pret në vitet në vijim është informatizimi dixhital dhe aplikimet e Inteligjencës Artificiale në shkencat mjekësore dhe procesin mësimor. Në pak vite ka ndodhur një evoluim i përshpejtuar i zhvillimit të teknologjive innovative dhe mjekësisë së precizionit. Në vizionin tonë, konsiderojmë që aplikimi në shkallë të gjërë i teknologjive të përparuara dixhitale e plotëson, por nuk e zëvendëson vlerën thelbësore të njeriut si personalitet i patjetërsueshëm; gjithnjë në qendër të çdo vendimmarrjeje në fushën e mjekësisë.
Në këtë përqasje, ku teknologjia e përparuar dhe njerëzit punojnë bashkë për të mirën e përbashkët, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë përmbush edhe ‘misionin e tretë’ si përgjegjësi shoqërore për mirëqenien shëndetësore të komunitetit nëpërmjet vëmendjes drejt stileve të shëndetshëm të jetesës dhe implementimit të vlerave të dialogut e komunikimit; edukimit; diversitetit, gjithëpërfshirjes dhe shkëmbimeve kulturale.
Në përfundim, edhe një herë Ju uroj të gjithëve vit akademik të mbarë, shëndet, sukses dhe zhvillim personal në të gjitha nivelet e studimeve Tuaja!
Sinqerisht,
Prof. Dr. Xheladin Draçini
Rektor i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë
Të tjera
Kërko informacion, event, njoftim etj