Projekte 2024-2025

Projektet fituese të Programit Kombëtar të Kërkimit dhe Zhvillimit (PKKZH) për periudhën 2024-2025, financuar nga AKKSHI:

Projekti me temë “Retinopatia e prematuritetit, vlerësim i incidencës, i faktorëve të riskut, diagnostikimi, trajtimi në kohë dhe strategjitë parandaluese”, drejtuar nga Prof. Asoc. Vilma Mema.

Të hulumtoje mbi incidencën, gravitetin e RP dhe të ndihmojë në hartimin e një protokolli depistimi, diagnostikimi, trajtimi dhe monitorimi të pacientëve me RP.

Hapat qe duhet të ndiqen dhe protokolllet që duhet të hartohen për ndjekjen në dinamikë me qëllim minimizimin e invaliditetit tek këta të sëmurë.

Gjithashtu ndihmon ne përgatitjen e një strategjie të mirëpercaktuar të mbështetjes psikosociale dhe shëndetësore për individët që nuk përfitojnë nga trajtimi mjekësor

Projekti me temë “Zbulimi i hershëm dhe strategjitë e ndërhyrjes Nefroprotektive për demtimin akut renal në terapinë intensive: Një qasje multidisiplinare”, drejtuar nga Prof. Asoc. Merita Rroji Molla;

Qëllimi i këtij projekti është identifikimi i faktorëve të rriskut dhe i treguesve të hershëm të Dëmtimit Renal Akut  te pacientët në Terapinë Intensive. Ky studim nënvizon rolin kritik të identifikimit të shpejtë të DAR dhe ndërhyrjes së hershme nefroprotektive në parandalimin dhe avancimin e DAR, duke mbrojtur kështu funksionin e veshkave e duke ulur morbiditetin dhe mortalitetin në pacientët  në terapi intensive.

Projekti me temë “Efektet e trajtimit me SGLT2-inhibitore në parametrat metabolike dhe funksionin kardiak e renal”, drejtuar nga Prof. Dr. Florian Toti;

Qëllimi i këtij studimi është të vlerësojmë nëse inhibiotrët e SGLT-2 sjellin vërtetë përmirësime në jetëgjatësinë e pacientëve, në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe në uljen e kostove spitalore për shkak të reduktimit të dekompensimit të insuficiencës kardiake, në popullatën shqiptare. Përpunimi me Inteligjencë Artificiale (nga Universiteti i Sorbones) i të dhënave të EKG-së synon të nxjerrë në pah nëse këto medikamente kanë ndikim Pozitiv apo Negativ në EKG.

Projekti me temë “Krijimi i databazës spitalore universitare për kancerin e stomakut, një nevojë për trajtimin optimal në dritën e protokolleve të reja terapeutike”, drejtuar nga Prof. Dr. Arvin Dibra;

Projekti synon të vlerësojë ngarkesën e kancerit të stomakut (KS) në Shqipëri, duke ofruar një panoramë epidemiologjike, kohën nga diagnoza në trajtim dhe stadin e paraqitjes së sëmundjes.

Projekti me temë “Cilësia e jetës në pacientët me kancer në Shqipëri”, drejtuar nga Prof. Asoc. Albana Fico;

Qëllimi i projektit është vlerësimi i cilësisë së jetës në pacientët me kancer të diagnostikuar dhe trajtuar në Qëndrën Spitalore Universitare “ Nënë Terea”, rolit i vlërësimit të hershëm i cilësisë së jetës në mortalitetin e hershëm të pacientëve me kancer dhe krijimi i një baze të dhënash mbi cilësinë e jetës tek pacintët me kancër e cila do të shërbejë për krijimin e algoritme të qarta të strategjisë së ndjekjes dhe indentifikimit të faktorëve që ndikojnë në përmirësimin ose përkeqësimin e cilësisë së jetës tek pacientët me kancër me pikësynim e përmirësimit të shërbimin ndaj të sëmurit.

Projekti me temë “Përmirësimi i Vlerësimit dhe Menaxhimit të Dhimbjes Kronike Jo-Onkologjike në Shërbimin Shëndetësor Parësor”, drejtuar nga Prof. Asoc. Enkeleda Sinaj;

Qëllimi i projektit është identifikimi i praktikës aktuale të vlerësimit dhe menaxhimit të dhimbjes kronike jo-onkologjike në mjediset e kujdesit shëndetësor parësor, me objektiv përmirësimin nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të personelit shëndetësor të kujdesit parësor mjekë dhe infermierë të familjes, me impakt në  rritjen e cilësisë së kujdesit të ofruar dhe reduktim të kostove shëndetësore të lidhura me këtë problematikë.

Projekti me temë “Vlerësimi i nivelit të vitamines D në pacientët me sëmundje alergjike në aktivitet të rritur të sëmundjes”, drejtuar nga Prof. Asoc. Mehmet Hoxha;

Vlerësimi i nivelit të vitaminës D në popullatën e pacientëve me sëmundje alergjike në aktivitet të lartë (të pakontrolluara nga trajtimet ambulatorë), konkretisht me Astmë Bronkiale Alergjike dhe Urtikarie Kronike, në korrelacion me indeksin e masës trupore (BMI).

Projekti me temë “Vlerësimi i punimeve protetike totale të lëvizshme të përgatitura nëpërmjet masës terciare përkundrejt metodës konvencionale”, drejtuar nga Prof. Dr. Edit Xhajanka;

Qëllimi i studimit tonë është përcaktimi i efikasitetit të përdorimit të masës piezografike (terciare) në protezat totale, sidomos në nofulla të poshtme të vogla dhe atrofi të klasës së tretë. Gjithashtu, qëllim i studimit është përcaktimi i hapësirës neutrale të ekuilibrit protetik në mënyrë funksionale tek pacientët (nëpërmjet metodës fonetike dhe lëvizjeve funksionale) dhe respektimi i saj në konstruktimin e protezës totale.

Projektet fituese të Infrastrukturës së Kërkimit Shkencor (PIKSH), financuar nga AKKSHI:

Projekti me temë “Krijimi i Laboratorit të Simulimit Virtual të Imazherisë Diagnostike në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike”, drejtuar nga Dr. Albana Shahini.

Ky projekt propozim ka për synim rritjen e kapaciteteve akademike e shkencore të UMT dhe FSHMT në përdorimin e teknologjive të reja simulative të imazherisë mjekësore nëpërmjet krijimit të një laboratori didaktiko-shkencor të simulimit vizualizimit dhe procesimit të imazheve dixhitale mjekësore.

Projekti me temë “Ndërtimi i infrastrukturës kërkimore-shkencore për analizën e çrregullimeve të sistemit vestibular”, drejtuar nga Prof. Asoc. Besim Boçi;

Infrastruktura e propozuar synon të krijojë një ambient të specializuar për diagnostikimin, trajtimin dhe kërkimin shkencor të sëmundjeve vestibulare. Qëllimi i këtij projekti është të ofrojë një qendër të specializuar dhe të avancuar, të cilat do t’i kushtohet plotësisht përmirësimit të shëndetit të pacientëve me sëmundje të sistemit vestibular.

Projekti me temë “Përmirësimi cilësor i infrastrukturës së Laboratorit të Biologjisë Molekulare në shërbimin e Laboratorit të Gjenetikës Klinike me aplikimin e teknikave gjenomike të avancuara (Next Generation Sequencing)”, drejtuar nga Prof. Dr. Anila Laku (Babameto);

Qëllimi i këtij projekti është të krijojë infrastrukturë për aplikimin e teknikave bashkëkohore për të kryer kërkim shkencor në fushën e Biologjisë Molekulare (BM). Duke investuar në paisje dhe teknologji të reja, ne krijojmë mundësinë për diagnozën molekulare të sëmundjeve me prevalencë të lartë, si sëmundjet neuromuskulare, si dhe aplikimin e teknikave molekulare të avancuara për diagnozën dhe trajtimin e hemopative malinje dhe tumoreve solide.

Përmirësimet në infrastrukturë mund të çojnë në krijimin e rezultateve më të detajuara dhe më të besueshme, pasi paisjet dhe metodat molekulare të avancuara ofrojnë një nivel më të lartë të saktësisë dhe ndjeshmërisë.

sqShqip

Kërko informacion, event, njoftim etj