Projekti me temë “Onko-Nefrologji- Një fushë e re në mjekësinë moderne” drejtuar nga Prof. Dr. Alma Idrizi;
Qëllimi kryesor i këtij projekti është të ofrojë kujdes të specializuar për pacientët me kancer që përballen me probleme të lidhura me funksionin e veshkave, duke përfshirë parandalimin dhe menaxhimin e efekteve nefrotoksike të trajtimeve kundër kancerit, si dhe adresimin e komplikacioneve renale që mund të shfaqen te këta pacientë – për herë të parë në Shqipëri.
Projekti do të zbatohet përmes një qasjeje multidisiplinare, duke evidentuar incidencën e dëmtimit të funksionit renal dhe duke krijuar bashkëpunim të ngushtë midis onkologëve dhe nefrologëve. Qëllimi është optimizimi i trajtimeve kundër kancerit duke minimizuar rrezikun e dëmtimeve të veshkave.
Gjithashtu, projekti do të fokusohet në kuptimin e marrëdhënieve të ndërlikuara midis kancerit dhe sëmundjes së veshkave, identifikimin e faktorëve të rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve renale tek pacientët me kancer, si dhe zhvillimin e strategjive të reja për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve renale në këtë grup pacientësh.