Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT) ofron programe të ciklit të tretë të studimeve “Doktoratë”, me synimin për të përgatitur profesionistë të kualifikuar dhe kërkues shkencorë në nivelet më të larta të shkencave mjekësore. Këto programe janë të orientuara drejt avancimit të njohurive shkencore, zhvillimit profesional dhe mbështetjes së inovacionit në fushat përkatëse.
Aktualisht, UMT ofron 14 programe doktorate në gjuhën shqipe, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë specialitetesh të shkencave të shëndetit.
Në kuadër të ndërkombëtarizimit dhe përmirësimit të cilësisë akademike, UMT ka vendosur bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës në Itali, duke ofruar 3 programe të përbashkëta doktorate në fushat e mjekësisë interne, kirurgjisë dhe obstetrikë-gjinekologjisë. Këto programe ndërkombëtare u ofrojnë studentëve mundësinë për të përfituar nga ekspertiza akademike dhe shkencore e dy institucioneve prestigjioze.
Çdo disertacion doktoral, përpara publikimit, kalon nëpër një proces të detyrueshëm verifikimi të antiplagjiaturës përmes platformës përkatëse, në përputhje me standardet e integritetit shkencor.Publikimi i disertacioneve doktorale është një detyrim ligjor, i përcaktuar nga kuadri ligjor në fuqi për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë. Çdo kandidat që përfundon me sukses studimet e doktoratës është i detyruar të publikojë disertacionin në platformën zyrtare të Universitetit dhe në Bibliotekën Kombëtare.
Kërko informacion, event, njoftim etj