Kongresi i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, ka si mision ofrimin e veprimtarive kërkimore shkencore dhe zhvillimin profesional me profesionistët e shëndetësisë, personelin akademik të huaj dhe vendas, kërkuesve shkencorë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe studentëve. Në këtë aktivitet priten diskutime dhe shpërndarje të njohurive dhe risive të fundit në fushën e mjekësisë dhe shëndetit publik. Objektivi kryesor i këtij kongresi është promovimi i shkencës në fushën mjekësore dhe avancimi i praktikave të reja dhe të qëndrueshme për përmirësimin e kujdesit shëndetësor. Ky aktivitet është planifikuar të zhvillohet jo vetëm në përmbushje të misionit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, por dhe me direktivat europiane, si dhe me objektivat strategjike të ministrisë përgjegjëse për arsimin (lidhur me shkencën) dhe të ministrisë përgjegjëse për shëndetësisë (lidhur me edukimin ne vazhdim të profesionistëve të shëndetësisë).
Përmes sesioneve shkencore, abstrakteve/prezantimeve/posterave, kongresi do të krijojë mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërmjet profesionistëve të fushës së shkencave të shëndetit, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Po ashtu, kongresi do të shërbejë si një forum për të diskutuar zhvillimet më të fundit të shkencës, teknologjisë dhe inovacioneve në fushën e shkencave të shëndetit, duke e konsoliduar lidershipin e Universitetit të Mjekësisë të Tiranës në këtë fushë.
Gjithashtu UMT duke ofruar aktivitete shkencore të akredituara në përputhje me standardet e VKM nr.788/2015, mbështet edukimin në vazhdim si dhe zhvillimin profesional të profesionisteve të shëndetësisë, duke u bërë faktor kryesor ne ofrimin e mundësisë se certifikimit profesional jo vetëm për alumin-it e UMT, por dhe për të gjithë profesionistet e tjerë. Ky proces jo vetëm që ndihmon mjekët dhe profesionistët e shëndetësisë të mbajnë njohuritë dhe aftësitë e tyre të përditësuara, por gjithashtu përmirëson cilësinë e kujdesit shëndetësor, rrit besimin e pacientëve dhe siguron një sistem shëndetësor më të qëndrueshëm dhe të avancuar. Edukimi në vazhdim është një investim për të ardhmen e mjekësisë dhe për mirëqenien e shoqërisë.