Projekte 2023-2024

Projektet fituese të Programit Kombëtar të Kërkimit dhe Zhvillimit (PKKZH) për periudhën 2023-2024, financuar nga AKKSHI

Projekti me temë “Infeksionet kirurgjikale dhe trajtimi i tyre para dhe pas përmirësimit infrastrukturor” drejtuar nga Prof. Dr. Krenar Lilaj.

Duke pasur parasysh përmirësimet e fundit në infrastrukturën kirurgjikale, e cila tani është modernizuar sipas kërkesave ndërkombëtare, pas këtyre përmirësimeve është e logjikshme të priten ndryshime në cilësinë e procedurave para, gjatë dhe pas operacionit. Megjithatë, mungojnë të dhënat për këto komplikacione postoperatore, të cilat në vendet e zhvilluara të BE-së, siç janë Italia, Franca, Gjermania dhe në SHBA, përbëjnë rreth 11-20% të komplikacioneve kirurgjikale. Qëllimi i këtij projekti është të krijojë një bazë të dhënash të përditësuara për këtë problematikë, e cila ka një ndikim të konsiderueshëm mjekësor dhe socio-ekonomik, dhe të kontribuojë në përmirësimin e parandalimit dhe trajtimit të këtyre komplikacioneve, duke u bazuar në infrastrukturën e tanishme dhe udhëzimet ndërkombëtare.

Projekti me temë “Identifikimi i faktorëve tradicionalë dhe jo tradicionalë të rrezikut kardiovaskular në sëmundjen Renale Kronike” drejtuar nga Prof. Dr. Margarita Gjata;

Identifikimi i faktorëve tradicionalë dhe jotradicionalë të rrezikut kardiovaskular në popullatën me sëmundje renale kronike dhe impakti që këta faktorë kanë në morbiditetin dhe mortalitetin kardiovaskular. Po ashtu, identifikimi i faktorëve të rinj, karakteristikë për këtë grup popullate, të paidentifikuar nga studimet e mëparshme, do t’i jepte një rëndësi të veçantë këtij studimi dhe do të shërbente si një burim informacioni jo vetëm në nivelin konstatues, por edhe në nivelin parandalues, ku alternativat e reja të trajtimit do të luajnë një rol të rëndësishëm.

Projekti me temë “Markuesit imunologjikë dhe imunogjenetikë në sëmundjet autoimune të gjendrës tiroide” drejtuar nga Prof. Asoc. Dorina Ylli;

Qëllimi i këtij projekti është identifikimi i faktorëve gjenetikë të lidhur me shfaqjen e sëmundjeve autoimune të tiroides në popullatën shqiptare dhe lidhja e mundshme e këtyre faktorëve me faktorë ambientalë specifikë.

Projekti me temë “Onko-Nefrologji- Një fushë e re në mjekësinë moderne” drejtuar nga Prof. Dr. Alma Idrizi;

Qëllimi kryesor i këtij projekti është të ofrojë kujdes të specializuar për pacientët me kancer që përballen me probleme të lidhura me funksionin e veshkave, duke përfshirë parandalimin dhe menaxhimin e efekteve nefrotoksike të trajtimeve kundër kancerit, si dhe adresimin e komplikacioneve renale që mund të shfaqen te këta pacientë – për herë të parë në Shqipëri.
Projekti do të zbatohet përmes një qasjeje multidisiplinare, duke evidentuar incidencën e dëmtimit të funksionit renal dhe duke krijuar bashkëpunim të ngushtë midis onkologëve dhe nefrologëve. Qëllimi është optimizimi i trajtimeve kundër kancerit duke minimizuar rrezikun e dëmtimeve të veshkave.
Gjithashtu, projekti do të fokusohet në kuptimin e marrëdhënieve të ndërlikuara midis kancerit dhe sëmundjes së veshkave, identifikimin e faktorëve të rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve renale tek pacientët me kancer, si dhe zhvillimin e strategjive të reja për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve renale në këtë grup pacientësh.

Projekti me temë “Çrregullimet e aftësive njohëse tek pacientët me sëmundje kronike të veshkave” drejtuar nga Prof. Asoc. Ariana Strakosha;

Fokusi i këtij projekti është të vlerësojë prevalencën e dëmtimit konjitiv dhe shkallën e tij në varësi të modaliteteve të ndryshme të terapisë zëvendësuese renale: hemodializë, dializë peritoneale dhe transplant renal, si dhe ndikimin specifik që ka dëmtimi konjitiv tek pacientët në dializë. Ky studim gjithashtu synon të identifikojë parashikuesit (prediktorët) e funksionit konjitiv tek pacientët me sëmundje kronike të veshkave.

Projekti me temë “Konsumi mesatar ditor i kripës në popullatën e Republikës së Shqipërisë”, drejtuar nga Dr. Ledio Çollaku.

Ky studim ka për qëllim të hulumtojë ekskretimin mesatar të natriumit në urinë si një tregues i konsumit të kripës në popullatën shqiptare. Objektivi kryesor është vlerësimi i ekskretimit të natriumit në mostrat e urinës për një kampion të popullsisë së rritur në Shqipëri. Metoda më e besueshme për matjen e konsumit të kripës është mbledhja e urinës 24-orëshe, e cila mund të ndihmojë në identifikimin e sasive të natriumit të konsumuar, përkundër vështirësive që lidhen me matjet e tjera dietike. Ky studim gjithashtu do të shqyrtojë ndikimin e faktorëve të tjerë si mosha, gjeografia dhe BMI-ja në konsumimin e kripës.

Projektet e Infrastrukturës, financuar nga AKKSHI:

Projekti me temë “Modernizimi i infrastrukturës kërkimore-shkencore në Departamentin e Lëndëve Biomjekësore dhe Eksperimentale në Fakultetin e Mjekësisë, UMT” drejtuar nga Prof. Dr. Gentian Vyshka.

Qëllimi i këtij projekti është mundësimi i infrastrukturës së nevojshme për ofrimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies/mësimnxënies dhe kërkimit shkencor në Departamentin e Lëndëve Biomjekësore Eksperimentale, në përmbushje të planeve mësimore për programet e ciklit të parë, të integruar të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë për Specializimet Afatgjata dhe Doktoraturën.
Përfshirja aktive e studentëve në realizimin e projektit kërkues, duke vlerësuar rolin e nivelit të vitaminës D serike në fiziologjinë e sistemit nervor periferik, fiziologjinë e traktit gastrointestinal, funksionalitetin respirator dhe të sistemit skeletik të njeriut, do të jetë gjithashtu pjesë e këtij projekti.

Projektet e Teknologjisë dhe Inovacionit, financuar nga AKKSHI:

Projekti me temë “Përdorimi i një sistemi polimerik në optimizimin e biodisponibilitetit të barnave. Zhvillimi industrial i një bari cilësor dhe kosto-efikas për popullatën shqiptare” drejtuar nga Prof. Dr. Ledjan Malaj.

Qëllimi i këtij studimi është përdorimi i kombinuar i kopolimerëve anionike të acidit metakrilik-akrilat etilik dhe hidroksipropil metil celulozës për formulimin e veshjes gastro-rezistente të tabletave duke përdorur diklofenak natrium si bar tip. Hidroksipropil metil celuloza do të pëdoret si një polimer enterik, kurse kopolimeri anioniki i acidit metakrilik-akrilat etilik do të përdoret për të siguruar fazën shtesë të vonesës, që siguron çlirimin e barit në pjesën e poshtme të traktit gastro-intestinal.

Projekti me temë “Prodhimi dhe aplikimi i formave farmaceutike inovative me bimë mjekësore si alternative e përdorimit të antimikrobikëve” drejtuar nga Prof. Asoc. Entela Haloçi;

Prodhimi dhe aplikimi lokal i disa formulimeve farmaceutike me përmbajtje bimore me aktivitet antimikrobik me qëllim me qëllim uljen e përdorimit dhe si rrjedhim dhe rezistencës të antibiotikëve dhe antifungalëve në terapitë aktuale.

Projektet e Infrastrukturës, financuar nga MAS:

Projekti me temë “Mbështetja dhe fuqizimi infrastrukturor i Laboratorëve të praktikës profesionale, pranë FSHMT-së” drejtuar nga Prof. Dr. Ilirjana Zekja.

Ky projekt synon përmirësimin e infrastrukturës praktike mësimore në programet e kujdesit shëndetësor përmes pajisjes së laboratorëve me teknologji bashkëkohore dhe mjete didaktike.

Objektivat specifike të projektit përfshijnë:

  • Pajisjen e laboratorëve të infermierisë me aparatura moderne për zhvillimin e aftësive praktike dhe edukimin efektiv të studentëve.
  • Krijimin dhe kompletimin e laboratorit të praktikës profesionale për programin e Logopedisë.
  • Kompletimin dhe përmirësimin e laboratorit të praktikës profesionale për programin e Mamisë.
  • Sigurimin e kiteve, reagentëve dhe aksesorëve të nevojshëm për zhvillimin efikas të praktikës laboratorike për studentët e programit të Teknikës së Laboratorit.

Kjo nismë do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së arsimit praktik, duke përgatitur studentët në mënyrë më të plotë për sfidat e profesionit të tyre.

Projekti me temë “Digitalizimi i Diseksionit Virtual dhe ristrukturimi i njësisë Laboratorike të Anatomisë” drejtuar nga Prof. Dr. Xheladin Çeka;

Modernizimi i laboratorëve të Anatomisë Normale në Fakultetin e Mjekësisë përplotëson nevojat e kërkimit shkencor në të gjitha aspektet e Anatomisë së Aplikuar dhe Klinike, duke përmirësuar infrastrukturën didaktike dhe kërkimore-shkencore në mënyrë bashkëkohore.

Projekti me temë “Digitalizimi i njësisë laboratorike të Histologjisë” drejtuar nga Prof. Dr. Xheladin Çeka;

Projekti synon krijimin e një njësie laboratorike të specializuar, e cila do të përfshijë katër laboratorë modernë didaktikë për lëndën e Histologji-Embriologjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Këto laboratorë do të shërbejnë për zhvillimin e praktikave mësimore të studentëve, duke siguruar kushte bashkëkohore për realizimin e mësimit në këtë fushë bazë të mjekësisë.

Ky projekt është pjesë e planit strategjik të zhvillimit të Fakultetit të Mjekësisë dhe synon modernizimin e procesit mësimor në lëndët bazë, në përputhje me standardet e universiteteve më të mira europiane.

Përmes këtij projekti do të krijohet një laborator me infrastrukturë moderne, sipas përvojës së seksioneve të Histologji-Embriologjisë në fakultetet europiane të mjekësisë.

sqShqip

Kërko informacion, event, njoftim etj